Kujtimet e një bashkëluftëtari
Fatmir H. Hoti, Batalioni Diversanto-Vëzhgues "Delta Force", e takoi Dritonin në verën e vitit 1998 në qendrën stërvitore "Papaj" mbi Tropojë. Ky është rrëfimi i tij.
Dëshmi e një bashkëluftëtari.
Njohja e parë me Dritonin ishte spontane, në verën e vitit 1998, në qendrën stërvitore "Papaj" mbi Tropojë. Isha dërguar atje nga komandanti Agim Ramadani për të krijuar pikë grumbulluese armatimi dhe për të stërvitur rekrutët që vinin nga të gjitha anët.
Në mesin e grupeve stërvitej edhe njësia e Policisë Ushtarake, e komanduar nga Hafir Hoxha, epror me përvojë, veteran i luftës në Slloveni. Ushtrimet fillonin herët në mëngjes dhe zgjasnin deri në mesditë. Më bëri përshtypje mënyra se si njësitë ktheheshin në rresht të organizuar, të pajisur me lopatëza, gasmaska, helmeta të maskuara me gjethe dushku, pagure uji, thika, radio-lidhje. Një njësi kishte edhe një qen patrullues, një bari gjerman, shumë i lumtur në mesin e ushtarëve.
Në mesin e këtyre ushtarëve ishte padyshim Driton Veliu nga Polaci i Skenderajt. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, ende e mbaj të freskët kujtimin e atij takimi të parë. Dorën në zemër, të gjithë ushtarët më lanë mbresa të shkëlqyera: për disiplinën, për organizimin, por sidomos për pedanterinë dhe kulturën e tyre. Dhe aty spikatte Dritoni: beretë të zezë legjionare, mjekër të konturuar me pedantëri, dhëmbë të bardhë si margaritarë, buzëqeshje karakteristike prej aktori.
"Po dukeni shumë pedant, a mos jeni edhe ju epror nga ish-armata jugosllave?"
Ai duke qeshur më tha: jo epror, ushtar po. Më tregoi historinë e tij. Kur shpërtheu lufta në Slloveni, po kryente shërbimin ushtarak. Dezertoi dhe u largua në Zvicër. Dy faktorë e kishin sjellë prapa: malli për vendlindjen, dhe malli për nënën, që pothuajse një dekadë nuk e kishte përqafuar. Me shpërthimin e luftës në Kosovë, pa asnjë hezitim, u mobilizua me UÇK-në.
Në Papaj i kishte pëlqyer të qëndronte, sepse kishte gjetur rregull dhe organizim të mirëfilltë ushtarak. Një ditë, me një çantë të vogël dhe një pardesy të hollë berberie, më thirri: "Junik, eja ta drejtoj pak mjekrën." Kishte sjellë nga Zvicra një makinë rroje "Panasonic". Atë ditë rregulloi mjekrat e shumë shokëve, duke buzëqeshur në stilin e tij.
Me t'u konsoliduar formacionet e reja, njësia e Policisë Ushtarake u komandua nga Xhafer Gashi. Në Papaj mbërritën djem të zotët nga Perëndimi: Sylejman Shala, Enver Hoxha-Klein, me të cilët Dritoni krijoi miqësi të ngushtë. Disa prej tyre u plagosën, të tjerë ranë dëshmorë.
"Junik, puna është mirë si po duket. A thua do ta kam fatin ta takoj lokën kur të depërtojmë në Drenicë?"
Këto fjalë gjithmonë i kam mbajtur në mendje. Kontakti im i fundit me Dritonin ishte nata mes 8 dhe 9 prillit, duke u përgatitur për nisje nga Padeshi drejt karaullit të Koshares. Disa video incizime ende ma kujtojnë atë natë: momente gëzimi, buzëqeshje të gati të gjithë neve, e sidomos buzëqeshja karakteristike e Dritonit.
Më 11 prill 1999, rreth orës 10:30, u plagosa rëndë: dy plumba snajperi 7.9 në kokë. Ende vuaj pasojat fizike dhe psikike, me shkallë invaliditeti 90%. Në një spital në Gjermani, posa kisha dalë nga koma, mora lajmin se Driton Veliu nga Polaci i Skenderajt kishte rënë. Ai lajm më shkaktoi një shok dhe gjakderdhje të re nervore. Dhe sot e kësaj dite përballem me pasojat, fizike dhe emocionale.
Falënderoj Zotin që pata fatin të rreshtohem dhe të luftoj krahas këtyre heronjve dhe titanëve të historisë më të re, shkruar nga gjaku i djemve nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Lavdi Driton Veliut, dhe shumë djemve të tjerë sikur ai, që ranë në altarin e Lirisë. Respekt dhe nder të përhershëm për familjet që lindën, rritën dhe edukuan djem e dalëzotës atdheu si këta heronj.
Fatmir H. Hoti · Junik · Batalioni "Delta Force"